
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit politike në Kuvend, duke kërkuar që stafi profesional i institucionit të mos bëhet pjesë e përplasjeve mes pozitës dhe opozitës.
Haxhiu ka thënë se mospajtimet politike duhet të mbeten mes personave që mbajnë përgjegjësi politike.
“Mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike.

Opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që çdo vërejtje ndaj punës së saj t’i drejtohet asaj ose të adresohet përmes mekanizmave institucionalë.
“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”, ka deklaruar ajo.
Sipas Haxhiut, stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.
“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë.
Këtë sjellje e dënoj publikisht dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit”, ka përfunduar Haxhiu.



