
Gazetari Mirlind Behluli ka reaguar pas konferencës së sotme të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, në të cilën janë prezantuar gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me produktet e qumështit.
Behluli është ndalur veçanërisht te gjetjet për Qumështoren “Abrazen – VITA”, duke thënë se rezultatet e prezantuara tregojnë përdorim të vajit të palmës në një numër të madh produktesh të kompanisë.

“Katër lloje të qumështit në Qumështoren VITA kanë vaj palme, sipas AUV-it. Veç një lloj i qumështit s’ka. 26 produkte të VITA-s, sipas AUV-it, kanë vaj palme”, ka shkruar Behluli.
Ai i është referuar edhe të dhënave të prezantuara nga Muja për importin e vajit të palmës nga kompania.
“Qumështorja Vita, sipas gjetjeve, është importuesja më e madhe e vajit të palmës. Pra 26 produkte të VITA-s, përfshirë 4 lloje të qumështit, janë me vaj palme. Një qumësht i ka dalë VITA-s pa vaj palme”, ka deklaruar Behluli.
Në konferencën e sotme, Muja tha se VITA kishte arritur kulmin e importit të vajit të palmës gjatë vitit 2025, kur, sipas tij, kishte importuar rreth një milion kilogramë.
Muja përmendi edhe produkte konkrete, duke deklaruar se në “MyCow” është konstatuar prani e vajit të palmës, ndërsa për “Holla” tha se nuk është qumësht me yndyrë shtazore dhe e cilësoi atë si “qumësht artificial”.
Pas këtyre gjetjeve, Behluli ka kritikuar mënyrën se si disa media po e trajtojnë çështjen, duke thënë se ato po fokusohen te një produkt i VITA-s që ka rezultuar pa vaj palme dhe po e lënë në plan të dytë pjesën tjetër të gjetjeve.
“Tash mediat joprofesionale e vendosin theksin te një produkt, duke e shtrembëru tërësinë e realitetit”, ka përfunduar Behluli.



