
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar vendimin e Qeverisë në detyrë për ta dërguar z. Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, duke e quajtur atë të pajustifikuar dhe pa legjitimitet qytetar e institucional.
Sipas LDK-së, zgjedhjet e 9 shkurtit dhanë një mesazh të qartë nga qytetarët e Kosovës, dhe ky vullnet politik nuk i jep mandat Bislimit për të përfaqësuar vendin në një proces kaq të rëndësishëm. Partia thekson se përfaqësimi në dialog duhet të bazohet vetëm mbi institucione legjitime, të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani.
“Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike”, thuhet në komunikatën e partisë.
LDK paralajmëron se veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë rrugën euroatlantike të vendit. Partia premton të mbrojë me vendosmëri parimin se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat.
Reagimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIE
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendimi i Qeverisë në detyrë për ta dërguar z. Besnik Bislimi në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë është i pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional.
Zgjedhjet e 9 shkurtit dhanë një mesazh të qartë nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vullnet politik nuk i jep mandat z. Bislimit të përfaqësojë Kosovën në një proces kaq të rëndësishëm dhe vendimtar. Përfaqësimi në dialog mund të bazohet vetëm mbi institucione legjitime të dala nga zgjedhjet dhe të mbështetura nga sovrani.
Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm që përcakton të ardhmen e shtetit tonë. Ky proces nuk mund të reduktohet në vendime të njëanshme të një qeverie në detyrë, e cila nuk gëzon më besimin qytetar dhe as shumicën e nevojshme për të marrë përgjegjësi të këtij niveli. Veprime të tilla dëmtojnë kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe rrezikojnë ta cenojnë rrugën tonë euroatlantike.
Kosova ka nevojë për përfaqësim të denjë, të fuqishëm dhe mbi të gjitha legjitim. Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri këtë parim, duke theksuar se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga improvizime partiake të një qeverie pa mandat.



