
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar nga aksioni i PDK-së para objektit të Qeverisë, të cilit sot i është bashkuar edhe Rinia Demokratike e Kosovës.
Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të shkojë në Kuvend dhe, siç është shprehur ajo, ta hapë rrugën për rikthimin e rendit kushtetues.

“Edhe sot, bashkë me Rininë Demokratike të Kosovës, jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua individuale dhe partiake!”, ka shkruar Çitaku.
PDK-ja po vazhdon prej disa ditësh aksionin para objektit të Qeverisë, duke kërkuar thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.



