DASh: Ia kemi bërë të qartë Kurtit, na duhet një partner që eviton veprimet destabiliuzuese

Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar kanë vendosur të pezullojnë Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke theksuar se Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti ka kontribuar në rritjen e tensioneve dhe destabilitetit, shkruan Gazeta Express.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se e Ngarkuara me Punë në Ambasadë, Anu Prattipati, ka mbajtur takime të rregullta me kryeministrin në detyrë, përmes të cilave Uashingtoni ka shprehur drejtpërdrejt shqetësimet e tij.

banner

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit theksoi për Gazetën Express:

“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë.”

Sa i përket marrëdhënieve me Qeverinë në detyrë, nga DASH u bë e ditur se dëshirojnë të ecin përpara, por kërkojnë një partner që shmang veprimet destabilizuese dhe punon për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e qytetarëve.

“Ne duam të ecim përpara me qeverinë në detyrë, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës,” tha zëdhënësi i DASH për Gazetën Express.

I pyetur nëse do të ndërmerren masa të tjera ndaj Qeverisë në detyrë, përfshirë edhe kryeministrin Kurti, zëdhënësi i DASH tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të monitorojnë veprimet e institucioneve të Kosovës, por nuk shtoi detaje të tjera:

“S’kanë diçka më shumë për të shtuar në këtë moment.”

Gjithashtu, ai theksoi se si rregull i përgjithshëm, SHBA nuk flet paraprakisht për sanksione:

“Në përgjithësi, ne nuk paraflasim për sanksionet.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.