banner

“Glauku mua, unë Glaukun”, Konjufca ‘lodhet’ duke e nominuar Kurtin

Me 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do të votojnë për formimin e qeverisë së re pas dështimit të krijimit të saj që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Një tjetër proces zgjedhor do të zhvillohet në vend më 28 dhjetor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi formimi i qeverisë së re nuk ishte i mundur që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Bashkë me caktimin e datës së zgjedhjeve, tashmë janë caktuar edhe të propozuarit e partive për kryeministër, shkruan Gazeta Express.

banner

Për dallim nga partitë e tjera, Lëvizjes Vetëvendosje i ka rënë që të ketë më shumë ‘telashe’ me këtë çështje, meqë nga kjo parti janë propozuar dy emra për pozitën e kryeministrit. Së pari ishte Albin Kurti, e më pas, para pak javësh, u mandatua Glauk Konjufca për të njëjtin post.

Por, për dallim nga ndryshimi i emrit, ajo çfarë vazhdon njësojë tek kjo parti janë lëvdatat për njëri-tjetrin dhe kritikat për ish-partitë opozitare.

Këtë e bëri edhe dje Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, ku u propozuar sërish për kryeministër. Aty Kurti kujtoi se ai e kishte propozuar Konjufcën pak javë më parë, duke theksuar se “krejt bashkë” janë në VV.

“Para tri jave unë e propozova para jush mandatarin për formimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, Glauk Konjufcën. Sonte Glauk Konjufca më propozoi mua. Glauku unë, unë Glauku, Albulena, Dimali, dhe cilido tjetër ne jemi krejt bashkë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ata që janë bashkuar kundër VV’së sepse duan të vendosë dikush tjetër besoj se do ta marrin mesazhin e qartë pikërisht me 28 dhjetor, atëherë kur vendosë populli të cilit ne i shërbejmë”, tha Kurti.

Pas tij, radha i erdhi sërish Konjufcës. Si në mbledhjen e kaluar të KP’së së VV’së, edhe në këtë rast, Konjufca s’i kurseu aspak lëvdatat për të Kurtin.

“Ne jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e VV’së. Unë do ta nominojë me të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë parlamentare, me meritorin e udhëheqjes e LVV’së, liderin e vërtetë të transformimit social e demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të Republikës sonë, Albin Kurtin”, deklaroi fillimisht Konjufca.

“Të gjithë jeni duke thënë me siguri, kush do ta meritonte më shumë se ai. Themelues i VV’së, drejtues i saj nëpër të gjitha furtunat më të vështira të kohës, gjithmonë duke qenë i gatshëm të jap e të sakrifikojë më së shumti nga ne të gjithë, Albini, mendoj që njihemi aq gjatë e kemi vepruar aq gjatë sa me iu drejtu me Albini, Albini që me mençuri e transformojë VV’në, në subjektin më të madh politik jo vetëm në Kosovë. Kurti si kryeministri e krijoi një sistem të qeverisjes mbi parimin e rritjes ekonomike që shpërndahet në mënyrë të barabartë, e të drejt në popullin tonë. Albin Kurti që ia tregoi shtetin strukturave të Serbisë edhe në veri të vendit tonë. Albin Kurtin, sot më shumë se kurrë e kërkon populli ynë që ta vazhdojë rrugën e mirë që e nisi në vitin 2021”, tha ai.

Në mbledhjen e mëparshme të KP’së, ku Konjufca u mandatua si mandatar i dytë për kryeministër, ai e kishte vlerësuar Kurtin si “kryeministrin më të mirë që ka pasur ndonjëherë” Kosova:

“I dashur bashkëudhëtar në fillim të udhëtimit tonë, i nderuari kryetar i Vetëvendosjes, Kryeministër i Republikës, miku im, Albin Kurti, më lejoni t’ju siguroj që në fillim se populli shumë shpejt pret që të ktheheni edhe më të fortë se në vitin 2021. Pa dyshim, ju keni qenë dhe do të mbeteni kryeministri më i mirë që ka pasur ndonjëherë vendi ynë. Me përulësi dhe detyrim, duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm për kryeministër të emëruar. Albin Kurti është personi më i votuar në historinë e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës. Problemi, i nderuari kryetar Albin, është se, aq sa e keni kënaqur popullin me gjithë këtë mbështetje, në të njëjtën masë keni mbjellë shumë frikë edhe tek kundërshtarët tuaj politikë. Por të gjithë e dimë një gjë, nuk ka forcë që mund ta ndalojë dhe ta shkëpusë lidhjen e popullit tonë me LVV-në”, kishte thënë Konjufca.

Me 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të shpallura nga presidentja Vjosa Osmani pas dështimeve nga VV-ja për të krijuar qeverinë.

Back to top button