
Në qershor të vitit 1996, Amerika hapi për herë të parë Zyrën Amerikane në Prishtinë – një ngjarje historike që u pa si gurthemel i miqësisë së pathyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë ceremoni morën pjesë presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, ndihmës-sekretari amerikan i shtetit John Kornblum, diplomatë amerikanë të akredituar në Beograd dhe shumë qytetarë të Kosovës.

Në momentin e zbulimit të pllakës, turma shpërtheu në brohoritje të fuqishme “USA”, “Rugova” dhe “Kosova”, duke simbolizuar shpresën e një të ardhmeje të përbashkët me SHBA-të, shkruan Gazeta Politika.
Gati tri dekada më pas, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së kanë hyrë në një periudhë të vështirë. Të premten, Ambasada Amerikane në Prishtinë njoftoi se Uashingtoni ka pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një mekanizëm i planifikuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, diplomatik dhe të sigurisë. Vendimi, sipas SHBA-së, u mor për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta, transmeto Gazeta Politika.



