“I dashur Faton”: Panduri i shkruan “letër” Pecit, pasi ky i fundit e quajti TV Dukagjinin pjesë të “skemës kriminale”

Ermal Panduri, autor i emisionit “Debat Plus”, ka reaguar pas akuzave të fundit të Faton Pecit, kandidat i VV-së për Komunën e Mitrovicës.

Statusi i Pandurit dukej më shumë si një letër përafrimi me Pecin.

Shkrimin e tij, Panduri e nisi me “I dashur Faton”, si një lloj ure ndërlidhëse.

“I dashuri Faton,

Jam i vetëdijshëm që je në kërkim të një “armiku” për pjesën e dytë të fushatës, por të lutem, mos e shpik aty ku nuk ekziston.

Po e ripërsëris, qetë dhe pa asnjë dramatizim: exit poll-i për Mitrovicën e Jugut ka qenë i pasaktë.  Dhe UBO Consulting, si organizatë përgjegjëse dhe e cilësuar jo rrallëherë si më e besueshmja nga partnerët e juaj të sotëm, e ka pranuar gabimin, publikisht, vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Kaq. Nuk është as skemë kriminale, as inxhiniering, as komplot” – ka shkruar Panduri, ndër të tjera.

Sjellim ndër mend që mbrëmë Peci bëri një akuzë të rëndë në drejtim të RTV Dukagjinit e UBO-s. Peci e cilësoi exit pollin si një skemë kriminale të PDK-së në bashkëpunim me disa “medie”.

Tutje, Peci e quajti RTV Dukagjinin si “qendër operative e ndërmarrjes kriminale”.

“Pas me shume se nje viti dhe mandej nje muaji fushate të organizuar, të ngjeshur, të orkestruar e të sofistikuar linçimi, njollosjeje, fyerjeje e sulmi kundër meje si figurë publike e politike, por si individ e si person dhe ku ishte përdorur edhe portretizimi im si ushqyes i ndasive e urrejtjes ndërfetare – një gjë që secili nën këtë qiell e din se nuk mund të më mvishet – më 12 tetor ishte finalja e krejt këtij organizimi kriminal, që tash po e kuptoj edhe nga informatat nga tereni se udhëhiqej nga Bedri Hamza. Politikani qe fshihet pas gezofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me percares ne trojet shqiptare, i cili eshte i gatshem te fute edhe percarje ndershqiptare e nderfetare per nje grusht vota.

Gjatë 12 tetorit 2025, TV Dukagjini ishte njëra nga qendrat operative të këtij aranzhimi propagandistik. Duke mos harruar partnerin si-moter Baton Haxhiun.

Exit pollet që ky televizon kishte kontraktuar e sponsorizuar, nuk u përdorën për të matur vullnetin qytetar, por për ta ndërtuar një narrativë të rreme për rezultatin, për ta dekurajuar votuesin tim dhe para se të kuptohej e vërteta e këtij krimi, për t’i dekurajuar komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve në Mitrovicë” – ka shkruar Peci, ndër të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button