
Një engjëll në një kishë në qendër të Romës është restauruar në atë mënyrë sa i ngjan kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, raportoi të shtunën një gazetë kombëtare.
Ngjarja ka nxitur reagimin e Ministrisë së Kulturës, ndërsa vetë Meloni e ka marrë me humor çështjen, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Politika.
Gazeta la Repubblica ishte e para që vuri në dukje, në faqen e saj të parë, se një nga dy engjëjt në një kapelë të Bazilikës së Shën Lorencit në Lucina ishte ndryshuar për t’i ngjasuar kryeministres konservatore 49-vjeçare, e cila është gruaja e parë që drejton qeverinë italiane.
Ministria e Kulturës njoftoi se ka udhëzuar zyrtarin më të lartë përgjegjës për trashëgiminë artistike në Romë që të kryejë një inspektim të menjëhershëm të pikturës së restauruar, përpara se të “vendosë për hapat e mëtejshëm”.
Ndërkohë, opozita nga Lëvizja Pesë Yje reagoi ashpër.
“Nuk mund të lejojmë që arti dhe kultura të rrezikojnë të shndërrohen në mjete propagande apo në diçka tjetër, pavarësisht nëse fytyra e paraqitur është ajo e kryeministres apo jo.”



