
Kreu i SBASHK-së thotë se temperaturat e ulëta dhe problemet me ngrohjen rrezikojnë mbarëvajtjen e mësimit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet edhe për disa ditë, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla.
Sipas tij, temperaturat e ulëta që pritet të mbizotërojnë në ditët në vijim mund të ndikojnë negativisht në procesin mësimor, duke vështirësuar qëndrimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në klasa.
“Edhe unë besoj që drejtoritë arsimore bashkë me drejtorët e shkollave do ta analizojnë mirë situatën dhe mësimi do të fillojë atëherë kur duhet. Ka informacione se temperaturat do të shkojnë në minus shumë gradë dhe një pjesë e shkollave mund të ketë probleme shtesë me ngrohjen”, ka deklaruar Jasharaj për KlanKosova.
Ai ka theksuar se siguria dhe mirëqenia e nxënësve duhet të jenë prioritet dhe se vendimi për nisjen e mësimit duhet të merret vetëm pasi të sigurohen kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor.
Ndërkohë, autoritetet arsimore pritet të shqyrtojnë situatën në terren dhe të marrin vendime në përputhje me gjendjen aktuale në shkolla.



