
Tashmë është bërë si një lloj rregulli i pashkruar në Gjilan. Njerëzit e (pa)kënaqur të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) po aderojnë në Lëvizjen Vetëvendosje (LV). Së paku tri figura goxha me ndikim të PDK-së e kanë gjetur “strehimin politik” në partinë e Albin Kurtit. Çka tregojnë zhvillimet e fundit për LV-në dhe PDK-në në Anamoravë?
Autor: Mirlind Behluli
Këtë javë, po të shpreheshim në një gjuhë të realizmit magjik alla markeziane, ngjau një “befasi e paralajmëruar” në Gjilan. Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit nga radhët e PDK-së, u pa në shoqërinë e Alban Hysenit, kryetar aktual i Gjilanit nga radhët e LV-së, shkruan Gazeta Politika.
Mustafa është rreshtuar prapa Hysenit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Në këtë takim ishte edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili ndau përvojën dhe mbështetjen e tij për rrugën tonë të përbashkët” – shkroi shkurtimisht Hyseni, i cili shpërndau disa fotografi nga takimi, transmeton Gazeta Politika.
Pas këtij “gjysmë aderimi” – ngase nuk dihet nëse Mustafa ka aderuar në LV apo vetëm po e përkrah Hysenin pa aderuar zyrtarisht në LV –, në rrjete sociale u ripublikuar deklaratat e ashpra të Kurtit karshi Mustafës, sa ky i fundit ishte i pari i Gjilanit.
Megjithatë, Mustafa tregoi se ia ka falur Kurtit mëkatet e dikurshme diskursve, pasi shkroi se “hallall i koftë kat me kat” (pra falje banesore).
Kohë më parë, edhe Leonora Morina e Bajram Isufi ikën nga PDK-ja për të përfunduar në listën për asamble të LV-së për zgjedhjet e 12 tetorit.
Siqoqoftë, çka na tregojnë këto ikje nga PDK-ja te LV-ja?
E para, duket se ka një pakënaqësi gati omniprezente në PDK-në e Gjilanit. Dikur figurat më të rëndësishme të saj, përfshirë Qemajl Mustafën, nuk po arrijnë të bashkëjetojnë në PDK-në e vitit 2025.
Kjo “rrjedhje” politike nga PDK-ja te LV-ja, me shumë gjasë, është edhe një simptomë e tensioneve mes degës së PDK-së në Gjilan dhe PDK-së në nivel qendror. Është pak a shumë sikurse ajo çfarë ndodhi në Drenas, shkruan Gazeta Politika.
E dyta, ikjet sigurisht do ta dobësojnë edhe më tutje PDK-në në Gjilan. Pa dyshim, Mustafa është sinonimi i kohës së artë të PDK-së në Anamoravë. Këto ikje janë shenja se PDK-ja do të vazhdojë të garojë për vendin e tretë në krejt komunat e Anamoravës, pra Gjilan, Viti e Kamenicë.
Dhe për këtë ka shumë arsye, që nuk lidhen vetëm më zhvillimet në degën në Gjilan, por edhe me zhvillimet në rang kombëtar të PDK-së.
PDK-ja, një parti ku 17-18 deputetë zgjidhen nga një rajon i veçantë (Drenica), duket aspak joshëse për karrierë politike për të rinjtë (e qe besa edhe për të vjetrit) nga Anamorava.
E treta, me shumë gjasë këto lëvizje lidhen edhe me mungesën e kuadrove brenda LV-së. Prandaj, ish-njerëzit e PDK-së, të cilët dikur akuzoheshin nga Kurti për korrupsion (si p.sh. në rastin e Mustafës), gjejnë kaq shumë hapësirë në LV.
E katërta, këto bashkëpunime kanë edhe një dimension tjetër, që lidhen me një frikë të mundshme në LV karshi kandidatit të LDK-së për Gjilanin, Arbër Ismajli. Duke qenë se gara do të jetë e fortë, LV-ja e Hyseni po shërbehen me secilën kartë politike, përfshirë bashkëpunimin me “djallin” e dikurshëm.
Sidoqoftë, gara për Gjilanin do të jetë interesante. Përkundër që është tkurrur horizontalisht në Anamoravë, si parti e tretë, PDK-ja mund të jetë “kingmaker” në balotazh. Pra mund të përcaktojë fituesin e garës, minimalisht, në Gjilan e Viti./GazetaPolitika.



