
Kosova shkëlqeu për 85 minuta ndaj Austrisë. Shënoi gol me Fisnik Asllanin dhe qëlloi shtyllën me Milot Rashicën. Pati edhe disa mundësi tjera shënimi. Por, nuk e ruajti epërsinë dhe në fund barazoi 1:1 me austriakët që luajtën në Kupën e Botës 2026 deri në 1/16 e finales, shkruan KOHA.
Ndeshja e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte e xhiros së katërt e Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Austria mbetet e pamposhtur në katër ndeshjet e para. Me dy fitore e dy barazime prin në grup me tetë pikë. Kosova është e dyta me pesë pikë. Irlanda që ka katër pikë në vendin e tretë, e ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Izraelit. Izraeli aktualisht është i fundit me një pikë.
Kosova pati mundësi në pjesën e parë, por edhe Austriakët u shfaqën rrezikshëm në disa raste. Portieri Amir Shaipi ishte në formë të mirë dhe nuk u mposht.
Në pjesën e dytë, “Dardanët” patën sërish paraqitje të mirë. Përzgjedhësi Franco Foda vendosi për ndryshime në formacion dhe e inkuadroi në lojë Fisnik Asllanin në minutën e 66-të. Asllani e zëvendësoi Vedat Muriqin. Vetëm katër minuta më vonë, pas një lëvizjeje të mirë të Edon Zhegrovës në zonë, shënoi sulmuesi i Hoffenheimit. Asllani gjuajti saktë për 1:0, për golin e pestë me Kosovën në 20 paraqitje.
Zëvendësuesi tjetër, Milot Rashica, që e zëvendësoi Baton Zabërgjën, doli në rast të mirë për shënim po ashtu. Ai ishte i pafat në minutën e 73-të kur e qëlloi shtyllën e majtë të portierit të Austrisë, Alexander Schlager. Rashica gjuajti me të majtën, por jo mjaftueshëm për ta shënuar golin e dytë të Kosovës. Pas topit të kthyer tentoi edhe Veldin Hoxha, por portieri Schlager reagoi mirë.
Pak para se të mbyllej ndeshja, Kosova u dënua dhe pranoi gol. Në minutën e 84-të, Sasha Kalajxhiq harkoi në zonë për mesfushorin Christoph Lang. Lang gjuajti saktë me kokë dhe e dërgoi topin prapa shpinës së portierit Shaipi.
Kosova në nëntor luan në shtëpi ndaj Izraelit dhe në udhëtim tek Irlanda. Austria e pret Irlandën dhe luan në udhëtim tek Izraeli.



