Kurti: ADN-ja konfirmon identitetin e tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë pranuar tri raportet e para të ADN-së për mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Sipas Kurtit, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave që lidhen me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të zhdukur më 19 prill 1999. Autoritetet kishin bërë të ditur më herët se në lokacionet në Zubin Potok po kërkoheshin mbetjet e personave të këtij grupi. 

“Në më pak se dy muaj nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se raportet janë ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar.

Kurti ka thënë se në ditët dhe javët në vijim priten edhe raportet e tjera të ADN-së.

“Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka shkruar ai.

Ai ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër. Më pas ishte identifikuar edhe një lokacion i dyshuar në Jabukë, ndërsa mostrat e mbetjeve mortore ishin dërguar për analizë të ADN-së. 

Kurti ka përsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe ofrimin e informatave për personat e zhdukur.

Ai ka thënë se kjo çështje do të jetë pjesë edhe e agjendës së tij gjatë vizitës në SHBA dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor”, ka shkruar Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.