Limaj zbulon ofertën e minutave të fundit nga Kurti: Po e largoj Dimalin nga kryetari i Kuvendit

Kryetari i Nismës zbulon takimin e shkurtër ku iu ofrua largimi i Dimal Bashës nga kryetari i Kuvendit dhe një ministri.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka rrëfyer ofertën e minutave të fundit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka bërë të dielën në këmbim të votave të partisë së tij për Qeverinë e re.

Limaj tregoi në emisionin “Rubikon” se gjatë një takimi rreth dhjetëminutësh me Kurtin, ky i fundit i kishte shprehur gatishmërinë për të larguar Dimal Bashën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe për ta emëruar atë në një post ministror.

“Kishim një takim të shkurtër, rreth 10 minuta. Kryeministri më tha se është i gatshëm ta largojë Dimal Bashën nga kryetari i Kuvendit dhe ta zhvendosë në një ministri”, deklaroi Limaj.

Ai shtoi se që nga zgjedhja e Bashës si kryetar i Kuvendit nuk kishte pasur asnjë komunikim me Kurtin dhe se ky ishte takimi i parë pas shumë kohësh, zhvilluar në ambientet e Kuvendit.

Megjithatë, Limaj theksoi se nuk e ka pranuar ofertën dhe se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur: “Dimal Basha nuk duhet të jetë në asnjë pozitë pas shkrimit të tij për UÇK-në.”

Ky zhvillim hedh dritë mbi negociatat politike pas skenës, duke treguar përpjekjet për partneritete dhe oferta të mundshme për poste në nivel të lartë, të cilat Limaj zgjodhi t’i refuzojë për arsye parimore.

Back to top button