
Partia Demokratike e Kosovës reagon pas njoftimit të Gjykatës Speciale për deklaratat përmbyllëse, duke theksuar nevojën për një vendim të drejtë dhe profesional.
Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të mbahen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës ka ritheksuar nevojën që ky proces të përmbyllet me drejtësi.
PDK vlerëson se ky proces gjyqësor është shoqëruar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që, sipas saj, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Këto rrethana, thekson partia, kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e shtetit dhe çlirimtarët, të cilët kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim.
Në këtë fazë përmbyllëse, PDK kërkon që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te faktet dhe provat, duke u distancuar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që, sipas saj, e ka shoqëruar procesin gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas PDK-së, dëshmitarët kyç në këtë proces kanë hedhur poshtë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar dyshimet për fajësi individuale, grupore apo komanduese. Partia vlerëson se këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe në dobësimin e bazës së akuzave të prokurorisë.
Në fund, PDK thekson përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke shprehur bindjen se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit.



