PDK: Nuk marrim pjesë më në seancat e Kuvendit, fjalën duhet ta thotë Kushtetuesja

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë më në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe bllokim të procesit të konstituimit.

PDK thotë se situata e krijuar tashmë kërkon “qartësi përfundimtare kushtetuese”.

Sipas kësaj partie, Kuvendi është dashur të konstituohej më së largu më 7 gusht, brenda afatit 30-ditor, ndërsa Vetëvendosje, sipas PDK-së, e ka shkelur këtë afat dhe më pas edhe një afat tjetër të vendosur vetë.

PDK thotë se ka pranuar të marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, edhe përtej afateve që i konsideron kushtetuese, “për hir të 16 shtatorit dhe vendimit të madh që pritet në Hagë”.

Megjithatë, sipas PDK-së, edhe në këto seanca procesi është penguar nga Vetëvendosje për shkak të çështjes së nënkryetarëve të opozitës.

“Partia Demokratike e Kosovës e mbajti fjalën dhe votoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, LVV e theu premtimin e dhënë publikisht dhe refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së për nënkryetare”, thuhet në reagim.

PDK ka reaguar edhe ndaj vendimit të fundit të VV-së për t’i votuar Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, duke kundërshtuar lidhjen e këtij veprimi me votimin e presidentit.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në deklaratë.

PDK ka bërë të ditur se ekspertët e saj tashmë janë duke përgatitur rastin që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet në reagim.

Në fund, PDK ka kërkuar që çështja të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

“Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.