Përparim Rama akuzon Kurtin: Kosovën e sheh vetëm aty ku ka Vetëvendosje

Kryetari i Prishtinës kritikon kryeministrin për qasjen ndaj projekteve të kryeqytetit dhe Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se i vlerëson vetëm ato zona të Kosovës ku partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka pushtet. Në një intervistë në emisionin DPT Te Fidani në Klan Kosova, Rama tha se Kurti po pengon bashkëpunimin për zhvillimin e kryeqytetit, përfshirë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Ai rrëfeu se takimi me kryeministrin për këtë çështje dështoi për shkak të, siç tha ai, kushtëzimeve politike.

“Masnej ne ishim në një tavolinë të përbashkët, ku edhe unë iu luta atëherë kryeministrit. I thashë që tash e kemi një moment të artë për me bashkëpunu… duhet me e zhvillu Prishtinën. Përgjigja ishte ‘po hajde me neve edhe s’ka problem’”, deklaroi Rama.

Sipas tij, kryeministri i ka vënë në dyshim edhe personalisht.

“’Si me të besu ty nëse ti s’je mrena në parti’, dmth nuk po i besoj bash as Hajrullahut se ai është mrena në parti”, citoi Rama Kurtin.

Kryetari i Prishtinës shtoi se kjo qasje është e rrezikshme dhe e dëmshme për vendin.

“Këtu e pashë që kjo është një mendësi shumë e mrapshtë. Kryeministri nuk e sheh Kosovën ku s’ka Vetëvendosje… përkundër faktit që sillet si kombëtar i madh, ai nuk e njeh asnjë pllamë tokë ku nuk e ka të shtrimë Vetëvendosjen”, tha ai.

Back to top button