Petrit Hajdari godet Lladrovcin: Nisja punës dhe mos bëj skena, z. viktimë

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar komune të Drenasit thekson se rezultati i zgjedhjeve duhet respektuar dhe kritikon sjelljen arrogante të Lladrovcit në media.

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar komune të Drenasit, Petrit E. Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj z. Lladrovci pas sjelljes së tij në emisionin Pressing, duke theksuar se ambienti ku ai është shfaqur nuk përfaqëson zyrat e PDK-së.

Hajdari shpjegon se lokaliteti është pronë private e familjarit të Lladrovcit dhe se ai mund ta përdorë për subjektin e vet politik, por nuk janë zyre të PDK-së.

“Kemi qenë në proces zgjedhor, të cilin nuk e kemi fituar dhe gjithmonë e respektojmë verdiktin e qytetarit. PDK sot në Drenas është në opozitë. Tjerat janë manipulim i pastër,” tha Hajdari.

Ai kritikoi sjelljen e Lladrovcit gjatë intervistës, duke e quajtur atë “grabitar manipulant” dhe duke vënë në dukje përdorimin e termave si “i paguar” dhe linçim ndaj gazetarëve. Hajdari kujtoi se e kishte uruar Lladrovcin për fitoren e tij të menjëhershme pas zgjedhjeve, duke bërë thirrje që të fillojë punën për të cilën është votuar, pa skena publike.

“Kontributi im për Drenasin është dhe do të jetë në çdo rrethanë. Nuk kam kurrfarë hatërmbetjeje me qytetarin tim sepse për dallim prej z. Lladrovci, unë këtë vend e dua pa kushte, e jo veç nga pushteti,” theksoi Hajdari.

Hajdari përfundoi reagimin duke theksuar se në demokraci votimi është vetëm për kryetar komune dhe jo për degë partie, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të zgjedhjeve dhe përmbajtjes së sjelljes publike:

“Nisja punës e mos bëj skena, z. viktimë!”

Back to top button