
Aktori Çun Lajçi ka reaguar me tone të ashpra ndaj atyre që, sipas tij, kërkuan votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas kërkuan kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim.
Në një reagim, Lajçi i ka kritikuar kërcënimet dhe presionin që, sipas tij, u ushtruan në emër të UÇK-së dhe ish-krerëve që po gjykohen në Hagë.
“Ju kërkuet të votohet ligji për katërshën në Hagë. Ju kërkuet të mos i hiqet e të mos i shtohet as edhe nji shkronjë! Ju kërkuet: gjakun në Shesh apo votën pro në Parlament?”, ka shkruar ai.
Lajçi ka thënë se disa zëra paralajmëruan për gabime dhe mangësi në ligj, por, sipas tij, u kërkua që ai të votohej pa ndryshime.
“Dikush doli e foli: — Po e votojmë, po ju përkrahim, por mos e mashtroni popullin me gabimet e mangësitë që ka ky ligj. Dhe ashtu kërkuet, dhe ashtu u ba!”, ka shkruar aktori.
Ai ka kritikuar edhe kërkesën për kthimin e ligjit në Kuvend, duke pyetur se deri kur do të përdoren kërcënimet në emër të luftës dhe UÇK-së.
“Deri kur do t’plakemi më kërcnime në emën të luftës;-UÇK-së?”, ka shkruar Lajçi.
Në fund, ai ka akuzuar politikanët që, sipas tij, e përdorin luftën dhe figurat e saj për interesa politike.
“Përfundimisht, ju s’e keni pasë e s’e keni për çlirimtarët e Hagës. Ju e keni pasë e e keni për ruejtjen e lëkurës suaj, sepse ju ka ra zgjeba e hajnisë dhe e tradhtisë! Turpi ka emën: hajni e marre n’kalanicë!”, ka përfunduar ai.



