
Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës, ka mbajtur një konferencë, në të cilën ka folur rreth raportimeve për shkollimin e vajzave të saj në një shkollë private. Osmani është ankuar për incizimin të paautorizuar, duke treguar se protokolli i rrëzikshmërisë ka vlerësuar se vajzat e saj kanë statusin e “rrëzikshmërisë lartë”.
Osmani ka pasur edhe një pasazh interesant, ndonëse me shumë kuptime dhe pa ofruar emra. Osmani foli për bashkëpunëtorët e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i shpallur në kërkim nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në këtë konferencë, ku kishte edhe gazetarë, Osmani përmendi edhe grushtetin, ndërsa citoi një thënie të popullit se bashkëpunëtorët e Radoiçiqit “e kanë mizën mas veshi”, shkruan Gazeta Politika.
“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grushtshtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalur shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi” – tha Osmani.
Në lidhje me ngjarjen e djeshme, Osmani ka treguar se nuk ka kërkuar arrestimin e kameramanit, duke u distancuar nga ky zhvillim.
“Nuk di kush e ka arrestuar gazetarin. Pse s’më keni pyetur mua, nuk kam asgjë të fshehë. Që 6 vjet askush nuk ka dërguar pyetje ku i dërgon vajzat në shkollë. Pse me fsheh, vajzat e mia shkollohen në Kosovë, janë shkolluar për 5 vjet në shkollë publike Ismail Qemali. Duke ua publikuar edhe rutinën, edhe ku ecin, klasën që qëndrojnë. Kurrë nuk e kam sulmuar familjen e askujt, as nuk jam marrë me xhipat e zi të askujt, nëse dikush tjetër është marrë, dërgoni pyetjet te ata njerëz. Unë kam përgjegjësi për veprimet e mia, jo të tjerëve. Pikërisht për shkak se e kam ditur, fëmiju asnjëherë nuk ka asnjë faj për qëndrimet politike të prindërve, iu ftoj më sulmoni mua, ditë e natë. Kurrë mos u ndalni. Për çkado që ua merr mendja. Mos i incizioni vajzat e mia pa autorizim, e keni detyrim. Nuk kam dhënë leje ta bëni këtë gjë pa autorizim” – tha Osmani.
“Nuk kam kërkuar të arrestohet ndonjë gazetar, sepse nuk ua kam frikën juve. Pse me u frikësu prej juve, ama në këtë vend ka edhe njerëz të çmendur që e shfrytëzojnë urrejtjen për ta kapur armën e për të vrarë. Ka pasur vrasje në këtë vend me motive politike. Kosova ka armiq të mëdhenj” – tha ajo.
Gjatë konferencës, Osmani ka treguar se organet e sigurisë kanë vlerësuar se ajo dhe familja e saj janë në statusin e “rrëzikshmërisë së lartë”.
“Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për veten dhe fëmijët e saj. Unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind të do të donte që vajzat e saj të vogla të kërcënohen me dhunim. Nuk besoj që ka prind që do të donte që për shkak të këtyre t’i izolonte nga jeta normale. Por, ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse ka dhjetëra kërcënime me jetë, shumë nga të cilat vijnë nga serbë. Ka një kërcënim që ka ardhë nga serbë në Tëitter, ku është postuar fotografia ime dhe e vajzave të mia dhe thuhet: Ju do të vdisni së shpejti” – ka treguar Osmani.



