
Vjosa Osmani, president e Republikës së Kosovës, ka mbajtur një konferencë në lidhje me raportimet për shkollimin e vajzave të saj.
Osmani ka vlerësuar se protokollet e sigurisë tregojnë se vajzat e saj janë në rrezikshmëri të lartë.
“Mirëpo rregullat e sigurisë e protokolleve të sigurisë, as nuk i kam sjellë unë, as nuk i kam shpikur unë. Ato kanë qenë të njëjta edhe për presidentë paraprak. Me ligj përcaktohet që presidenti dhe familja e ngushtë kanë mbrojtje të afërt dhe e kanë nivelin e rrezikshmërisë të lartë. Kjo nënkupton ta zëmë te rasti i im ose kryeministrit, ose kryetarit të Kuvendit që subjekti që ka rrezikshmëri të lartë ka së paku 12 policë në përcjellje, ata që kanë rrezikshmëri të mesme kanë më pak. Çdo gjashtë muaj policia e bën vlerësimin e sigurisë dhe çdo gjashtë muaj vlerësimi është i njëjtë: që vajzat e mia janë në rrezikshmëri të lartë” – tha ajo.
Tutje, Osmani ka zbuluar se ajo dhe familja e saj, përfshirë vajzat, kërcënohen vazhdimisht me “plumb në ballë”.
“Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për veten dhe fëmijët e saj. Unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind të do të donte që vajzat e saj të vogla të kërcënohen me dhunim. Nuk besoj që ka prind që do të donte që për shkak të këtyre t’i izolonte nga jeta normale. Por, ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse ka dhjetëra kërcënime me jetë, shumë nga të cilat vijnë nga serbë. Ka një kërcënim që ka ardhë nga serbë në Tëitter, ku është postuar fotografia ime dhe e vajzave të mia dhe thuhet: Ju do të vdisni së shpejti” – ka treguar Osmani.



