
Dy-tri javë më parë, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, lëshoi një ofendim të rëndë në drejtim të Çairit, duke e cilësuar si Kandahar. Ahmeti ia dha këtë cilësim Cairit për shkak të “ndërtimeve pa shije”, ndërsa lavdëronte mënyrën se si ishte ndërtuar pjesa maqedone e Shkupit. Në lidhje me këtë temë, shumë gazetarë e njerëz të sferës publike e kritikuan Ahmetin. E duket se sonte edhe qytetarët e Cairit iu kundërpërgjigjën Ahmetit për ofendimin e para ca kohëve. Pse?
Sonte, VLEN-i hapi shtabin zgjedhor në Çair, ku Izet Mexhiti, kandidat për këtë komunë dhe zv.kryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, organizoi një takim me qytetarët.
Nga pamjet që vijnë nga Çairi, kryeqendra e shqiptarëve të Shkupit, në thirrjen e Mexhitit janë përgjigjur mijëra qytetarë. Në këtë kontekst, duket më shumë si një “kryengritje” ndaj Ahmetit dhe revoltë ndaj ofendimeve të liderit të BDI-së rreth çështjes së lartëcekur.
Siç shihet në videot e publikuara, mijëra qytetarë kanë ecur bashkë me liderët e VLEN-it nëpër lagjen kryesore të Çairit.
Në takimin e sontëm, Mexhiti dhe udhëheqësit e VLEN-it mbajtën fjalime, duke theksuar se besojnë në fitoren në Çair dhe komunat e tjera të banuara me shumicë shqiptare.

Sjellim ndërmend që në një intervistë të shkurtër me gazetarin e Gazetës Politika, Mirlind Behluli, Mexhiti e kishte quajtur Çairin “diamant që rrezaton”.
Në bazë të sondazheve dhe pritshmërive, Mexhiti është favoriti kryesor për të fituar garën për Çairin, në të cilën garë është pjesë edhe Bujar Osmani nga BDI-ja.



